Ekspertët Tanë

Anila Sulstarova

Dr. Anila Sulstarova është formuar si profesioniste në Fakultetin e Shkencave Sociale, në të cilin ka kryer studimet Bachelor, Master dhe doktoraturë. Gardën Doktore e Shkencave e ka marrë në vitin 2011 me tezën: “Maksimalizimi i funksioneve të hemisferës së djathtë të trurit, përmes ndërhyrjes diadike, tek foshnjat 0-10 muajshe në institucionet rezidenciale”. Anila Sulstarova është pedagoge në departamentin Pedagogjisë dhe Psikologjisë prej vitit 2005. Është titullare e disa lëndëve si “Terapi Familajre; Terapi Arti dhe loje; Patologjitë e Atashimit. Interesi akademik për kërkime shkencore është në: atashim; vetërregullim emocional; faji dhe turpi; viztaimet e fëmijëve; ëndrrat; ankthi; varësitë. Dr Anila Sulstarova është psikologe klinike prej vitit 2001. Çrregullimet që ajo trajton janë: ankthi tek fëmijët dhe të rriturit; fobitë e ndryshme tek fëmijët dhe adoleshentët; ataku i panikut tek fëmijët, adoleshentët dhe të rriturit; patologjitë e atashimit; trajtimin e personave me Çrregulim të personalitet shmagës; borderline; histrionic dhe të varur. Gjithashtu ofron terapi në çift dhe familjare. Dr Anila Sulstarova ka qenë pjesë e ndërtimit të disa strategjive kombëtare në fushën e shërbimeve sociale.

Ermal Azisllari

Z. Ermal Azisllari është psikolog klinik dhe psikoterapist i specializuar në punën terapeutike me fëmijët dhe të rriturit. Z. Azisllari është diplomuar si psikolog klinik në vitin 2004. Më tej është trajnuar në një sërë trajnimesh specializuese ndërkombëtare me fokus këshillimin dhe psikoterapinë (Terapi Arti, CBT, Skema Terapi). Ai është çertifikuar si terapist i Njohjes dhe Sjelljes (CBT) dhe Terapist i Avancuar në Skema Terapi. Ai ka punuar si psikolog pranë organizatave të ndryshme (SOS FF, TDH, WV, SHKEJ) në mbështetje të grupeve vulnerabël për një periudhë 15 vjecare. Ai gjithashtu ka kontribuar pranë këtyre organizatave në ngritjen e kapaciteteve të stafeve edukative dhe sociale përmes trajnimeve, supervizimit profesional dhe coaching profesional. Aktualisht z. Azisllari është i angazhuar në praktikë private psikoterapeutike (nga 2015) dhe si drejtor ekzekutiv i Qendrës për Shërbime Psikologjike të Integruara (nga 2017).

Florian Kulla

Z. Florian Kulla është psikolog fëmijësh i specializuar në punën terapeutike me fëmijët dhe prindërit.Z. Kulla është diplomuar si psikolog klinik në vitin 2003. Studimet e tij të doktoraturës janë fokusuar tek fëmijët me çrregullime të zhvillimit. Ai ka punuar si psikolog pranë Bashkisë së Tiranës (Qendra e Zhvillimit) për një periudhë dhjetë vjeçare, si specialist në ekipet e ndërhyrjes së hershme. Ai ka ndjekur një numër të madh trajnimesh ndërkombëtare në fushën e këshillimit dhe psikoterapisë me fëmijët dhe adoleshentët. Z.Kulla është i certifikuar si psikoterapist nga Shoqata Europiane për Psikoterapi .Ai është psikodramatist i certifikuar nga Instituti i Psikodramës (Beograd). Aktualisht ai është drejtues i Shoqatës Shqiptare për Psikodramë. Prej disa vitesh ai punon si psikoterapist me fëmijët, të rinjtë dhe të rriturit individualisht dhe në grupe.

Skerdi Zahaj

Dr. Skerdi Zahaj është pedagog në Departamentin e Pedagogjisë dhe të Psikologjisë së Fakultetit të Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës dhe psikoterapist në praktikën e tij private. Ka kryer specializime në Institutin Qëndror të Shëndetit Mendor në Universitetin Heidelberg dhe ka përfunduar formimin terapeutik në psikoterapi kognitiv-biheviorale (CBT) dhe në terapinë e fokusuar në skema (ST). Ka një përvojë disa vjeçare në fushën e mësimdhënies në psikologji, të kërkimit shkencor dhe të psikoterapisë në praktikë private. Ai ka përfunduar doktoraturën mbi ndikimin e kancerit dhe të dhimbjes kronike në zhvillimin e identitetit. Interesat e tij kërkimor janë rreth zbulimit të lidhjeve midis kushteve shëndetësore dhe shqetësimeve psikologjike si edhe në analizën e marrëdhënies midis zhvillimit të personalitetit dhe psikopatologjive. Interesat e tij klinikë janë të fokusuar në trajtimin e çrregullimit të stresit post-traumatik, traumave komplekse, pasojave psikologjike të individëve me kancer dhe sëmundje kronike, çrregullimeve të personalitetit dhe depresionit. Është anëtar i Shoqatës Europiane të Psikologëve të Zhvillimit (EADP), i Shoqatës Shqiptare të Terapisë Kognitiv-bihejviorale (AACBT) dhe anëtar i Këshillit Kombëtar të Urdhrit të Psikologut.

Dhurata Nixha

Dhurata Nixha është psikologe këshillimi dhe psikoterapiste. Studimet post diplomike i ka kryer pranë “The University of Sheffield”, si dhe specializimin për Psikoterapi Pozitive dhe Familjare pranë Wiesbaden Academy of Psychotherapy. Dhurata është pedagoge pranë Fakultetit të Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës. Ka një përvojë shumë vjeçare në projekte të ndryshme me fokus mbështetjen psikosociale të grupeve vulnerable në organizata të ndryshme si: “Children “for Tomorrow”; Labyrinth”; “Save the Children”, etj. Ka qenë e angazhuar ndër vite në platformën online “Nukjevet.net” për ofrimin e mbështetjes psikologjike dhe promovimin e shëndetit mendor në mesin e të rinjëve. Fushat e interesit janë promovimi i shëndetit mendor dhe mirëqenies personale, është promovimi i mirëqenies në çift dhe familje dhe mbështetja e tyre në eksplorimin e vetes dhe zbulimin e potencialeve të tyre të plotë. Puna e saj klinike konsiston kryesisht në trajtimin e çrregullime të ankthit, çrregullimeve emocionale, të humorit si dhe stresit post-traumatik. Ajo ka një përvojë shumë vjeçare në mbështetjen psikosociale të të rinjve dhe familjeve të cilët ballafaqohen me situata të vështira përgjatë cikleve të ndryshme jetësore.

Arela Çarku

Arela Çarku ka përfunduar studimet master në Psikologji Klinike në Universitetin e Tiranës dhe specializimin për Psikoanalizë Grupi në Institutin e Grupanalizës, Londër. Me përvojë disa vjecarë në fushën e mësimdhënies në psikologji pranë Fakultetit të Shkencave Sociale dhe Universitetit të New Yorkut. Ushtron profesionin e saj pranë praktikës private klinike, po ashtu edhe pranë organizatave të cilat ofrojnë shërbime të integrimit psiko-social. Zotëron përvojë pune me viktimat e trafikimit dhe me traumat komplekse. Si rrjedhojë, fushat e ekspertizës që trajton në praktikën klinikë janë në trajtimin e çrregullimit të stresit post-traumatik, traumave komplekse, ankthit, depresionit, çrregullimeve obsesive-kompulsive, si dhe shqetësime psikologjike të lidhura me çështje të identitetit gjinor dhe orientimit seksual. Ofron terapi individuale dhe në grup, dhe punon me moshën e rritur të hershme dhe të vonë. Anëtare e Shoqatës së Grup Analizës në Shqipëri, e European Group Analytic Training Network, si dhe e programit Europian për Mirëqënien psikologjike dhe emocionale të punonjësve.