Aktivitetet kryesore të Fjongos Rozë përgjatë viteve të fundit

YWCA of Albania zhvillon një sërë aktivitetesh në kuadër të kauzës së Fjongos Rozë. Veprimtaritë ndërgjegjësuese dhe informuese zhvillohen përgjatë gjithë vitit, por sidomos gjatë muajit tetor. Tetori Rozë është në mbarë botën muaji për ndërgjegjësimin, parandalimin dhe mbështetjen e të mbijetuarave me diagnozën e kancerit të gjirit.

Disa nga aktivitetet kryesore të realizuara nga YWCA of Albania përgjatë viteve, mbështetur nga partnerët dhe bashkëpunëtorët në këtë kauzë:

Informim dhe Ndërgjegjësim

Shpërndarja e materialeve informuese dhe ndërgjegjësuese rreth kancerit te gjirit. Vullnetaret dhe stafi i YWCA shpërndajnë në zona të ndryshme broshura dhe fletëpalosje, me qëllim kontaktimin me sa më shumë persona dhe rritjen e ndërgjegjësimit.

10 Vjetori i Kauzës së Fjongos Rozë

Le të mposhtim frikën, turpin, stigmatizimin! Le të mposhtim dhe të parandalojmë! Le të krijojmë një tetor me ngjyra! Ti mund të kontribuosh! Edhe ti! Të gjithë ne! Vishuni me rozë, vendosni fjongon dhe bëhuni këtë muaj bashkëudhëtarë të YWCA of Albania në aktivitetet e planifikuara.

Marshimi i përvitshëm simbolik

YWCA of Albania është e angazhuar në informimin dhe mbështetjen e vajzave dhe grave në parandalimin dhe identifikimin e hershëm të kancerit të gjirit. Këto nisma janë simbolika të punës sonë, të mesazheve të forcës e guximit, që i shprehim në marshimet e përvitshme, diskutimet e vazhdueshme dhe ndarjet e historive personale.

Koncert Bamirësie nga Ermonela Jaho

Sopranoja e njohur shqiptare Ermonela Jaho, njëkohësisht ambasadore e YWCA of Albania në kauzën e “Fjongos Rozë” vjen në Tiranë, për t’iu bashkuar zërit të vajzave dhe grave në një koncert bamirësie.

Takimi me Gra Politikane

YWCA of Albania ka realizuar në 16 prill 2019 takim pune me gra politikane, deputete, ministre, përfaqësuese të këshillave bashkiakë, diplomatë të huaj në Shqipëri, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, mjekë të Spitalit Onkologjik në Tiranë, paciente me kancer në gji, përfaqësuese të OJF dhe bizneseve të ndryshme.

Konferenca në Fakultetin e Shkencave Sociale

YWCA of Albania, në bashkëpunim me Departamentin e Psikologji-Pedagogjisë, pranë Fakultetit të Shkencave Sociale kanë zhvilluar konferencën me titull "Trajtimi psikologjik tek pacientet e diagnostikuara me kancer në gji."

Ecja ndërgjegjësuese e vitit 2020

Viti 2020 shënon përvjetorin e dymbëdhjetë të angazhimit të YWCA of Albania në veprimtari informuese dhe ndërgjegjësuese për parandalimin e kancerit të gjirit te gratë e vajzat. Prej më shumë se një dekade YWCA of Albania është angazhuar në një fushatë informimi dhe ndërgjegjësimi në mbarë Shqipërinë për parandalimin e kancerit të gjirit te gratë e vajzat përmes zbulimit të hershëm të tij.

Dhuro një lule për një jetë

Dhuro një lule për një jetë - ka qënë një nismë e suksesshme e YWCA, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës dhe një biznes privat lulesh. Me rastin e festave të 7-8 marsit në vitin 2013, në kuadër të luftës kundër kancerit të gjirit, përgjatë 4 ditëve, qindra qytetarë blenë dhe dhuruan lule me një cmim simbolik, duke shprehur kështu ndjeshmërinë e tyre ndaj kësaj sëmundjeje që prek një numër të konsiderueshëm grash.

Peticioni për strategjinë kundër kancerit të gjirit, tetor 2012

Në muajin tetor të vitit 2012 organizata jonë ndërmori një fushatë për nënshkrimin e një peticioni, me anë të të cilit i kërkohet organeve shtetërore, e veçanërisht Ministrisë së Shëndetësisë, hartimi i një strategjie për parandalimin dhe luftën kundër kancerit të gjirit te gratë (teksti i peticionit gjendet bashkëngjitur). Peticioni u nënshkrua nga 16 organizata të shoqërisë civile dhe 77 përfaqësues të shoqërisë civile dhe 313 qytetarë nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë.

Mbështet shpresën, lufto për jetën

YWCA of Albania në bashkëpunim me Shoqatën Europa Donna Albania dhe me mbështetjen e Shoqërisë Farmaceutike Hoffmann-La Roche organizuan në datën 10 mars 2017 veprimtarinë “Mbështet shpresën, lufto për jetën”.

Ecja ndërgjegjësuese e vitit 2021

YWCA of Albania, për të 13-in vit organizoi marshimin simbolik, si një nga aktivitetet më të rëndësishme të Fjongos Rozë! Ecëm jo vetëm krah njëri tjetrit, por ishim të bashkuar në zemër e në mendje, se solidariteti do na ndihmojë që faqet e guximit t'i kthejmë në histori fitoreje!

Ekspozita "Nën petkun tënd"

Arti përçon ndjesi që fjalët nuk mund t'i kumbojnë! Nën këtë moto u zhvillua ekspozita "Nën petkun tënd", me 37 piktura të të rinjve nga Shkodra, Durrësi, Tirana dhe Berati, si pjesë e iniciativës "Fjongo Rozë më kujton..." e YWCA of Albania.

Ecja ndërgjegjësuese e vitit 2022

Fjongo Rozë e YWCA ishte në qytetin e Beratit për të realizuar marshimin e 14 të fushatës kundër kancerit të gjirit. Ecja simbolike, e kthyer në traditën e kauzës tonë na bëri bashkë të gjithëve, për të treguar solidaritet e për të theksuar se nuk ka vend për të vuajtur në heshtje. Mesazhet e shpresës u bënë akoma më të fuqishme nga historitë e triumfit të zonjave rozë, që u nderuan me çmimin "Vullnetare të Fjongos Rozë"! Fjongo Rozë na kujtoi sot se diagnostikimi i hershëm shpëton jetë! Fjongo Rozë na kujtoi se kemi 1001 arsye për të buzëqeshur, kur tregojmë mbështetje e pranim!

Forum diskutimi në kuadër të fushatës “Fjongo Rozë më kujton…”

"Kam 2 orë që e harrova sëmundjen"! - thotë Kumria ne fund te forumit te YWCA of Albania. Së bashku me anëtare të Kuvendit të Shqipërisë, përfaqësues të pushtetit qëndror, politikëbërës, përfaqësues të fushës së shëndetit publik, mjekë onkologë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe medias ajo dhe disa zonja të tjera, diskutuan mbi sfidat dhe vështirësitë që përballen gratë me kancer në gji. YWCA ndau gjatë forumit të diskutimit rekomandime konkrete, të cilat do iu përçohen strukturave të ndryshme, me qëllim marrjen e hapave të mëtejshëm që do të përmirësojnë cilësinë e jetës të grave me kancer në gji. 

"Lunch & learn"

Fjongo Rozë na kujtoi gjatë “Lunch and learn” se dhimbja zvogëlohet kur ndahet me persona që të kuptojnë dhe se humaniteti ngjyros çdo vështirësi! … Këto dreka miqësore janë realizuar me zonjat tona rozë, të cilat kanë ndarë përvojat e tyre, duke na frymëzuar dhe emocionuar me forcën dhe guximin për të tejkaluar sfidat gjatë përballjes me kancerin e gjirit. Fjongo Rozë na kujtoi edhe një herë rëndësinë e kujdesit për veten, nevojën për mbështetje ndaj njëri tjetrit, nevojën për të ecur së bashku në misionin për jetën…

Ecja ndërgjegjësuese e vitit 2023

Ecja simbolike e YWCA… së bashku duke ndërmarrë hapa për një të ardhme më të sigurtë, më rozë e plot shpresë! Ndihemi të nderuar që Fjongo Rozë u përkrah nga shumë e shumë vullnetarë, qytetarë, përfaqësues të qeverisë lokale e qëndrore, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare e trupave diplomatikë, gra të diagnostikuara me kancer në gji, përfaqësuese të OJF dhe bizneseve të ndryshme.