Për të plotësuar formularin online klikoni këtu:

Rëndësia e këshillimit psikologjik

Nevoja për trajtim psikologjik tek vajzat dhe gratë me kancer në gji


``Diagnoza e kancerit të gjirit paraqet një sfidë jo vetëm për shëndetin fizik, por shoqërohet me implikime në sjellje, gjendjen emocionale dhe marrëdhëniet sociale. Qëllimi ynë është ofrimi i shërbimeve falas që lehtësojnë përballjen me trajtimin!``

Informimi rreth diagnozës së kancerit të gjirit mund të jetë një nga ngjarjet më traumatike që gratë dhe vajzat përjetojnë. Shqetësimi vazhdon për periudha të gjata, edhe pas kalimit të tronditjes fillestare. Procesi i gjatë i trajtimit, shpesh shoqërohet edhe me dilemat e jetës, problemet në marrëdhëniet ndërpersonale, ndjenja të lodhjes, irritimit, shqetësimit për simptomat apo edhe me diskrimimin e padrejtësi në vendin e punës. Këta faktorë ndikojnë tek zhvillimi i stresit kronik, ankthit dhe depresionit. Shpesh, vajzat dhe gratë mund të mos dinë se ku të drejtohen për ndihmë.

Nevoja për trajtim psikologjik mund të mos përfundojë kur përfundon trajtimi mjekësor. Në fakt, shërimi emocionale mund të zgjasë më shumë sesa shërimi fizik! Pyetjes ``Pse mua``, shoqëruar më një sërë emocionesh, si ankth, trishtim, faj, pafuqi, zemërim, ankth do jetë më e lehtë t`i jepet përgjigje dhe të krijohen strategji efektive të përballjes.

Trajtimet konvencionale të kancerit të gjirit, nga operacioni deri tek kimioterapia, pavarësisht se janë të nevojshme për të shpëtuar jetën, në të shumtën e rasteve mund të jenë traumatike. Shumë vajza dhe gra duhet të ndyshojnë stilin e jetës, si pjesë e regjimit të trajtimit parësor. Psikologët përdorin teknika për të lehtësuar përshtatjen me sjelljet e reja.

Ndërhyrjet psikologjike janë të efektshme në reduktimin e dhimbjeve, simptomave apo efekteve anësore të mjekimit. Trajtimi psikologjik zvogëlon dukshëm ankthin para operacionit, dhimbjen, si dhe eleminon një sërë sjelljes që paraprijnë ose shoqërojnë kimioterapinë. Teknikat psikologjike mund të përdoren për të krijuar imazh pozitiv për veten, për të rritur motivimin në aplikimin e sjelljeve të reja dhe për të lehtësuar rikthimin në jetën e përditshme, pas përfundimit të trajtimit mjekësor. Shërbimet psikologjike do të ndihmojnë në lehtësimin e efekteve para, gjatë dhe pas trajtimit.

Pyetjet më të shpeshta që përballen psikologët

Gratë dhe vajzat me kancer në gji,si dhe familjet e tyre perballen me nje sere sfidash emocionale dhe psikologjike. Shqetësimet më të zakonshme emocionale dhe psikologjike përfshijnë ankthin, frikën nga përsëritja, dhimbjen, problemet me gjumin, depresionin, PTSD, funksionimin seksual, pamjen e jashtme dhe ndikimin tek të afërmit. Disa nga pyetjet mqë njerëzit i drejtojnë psikologëve përfshijnë:

  • Pse mua?
  • Si do t`ia u komunikoj fëmijëve dhe familjarëve?
  • A do të kem sërisht një jetë normale?
  • Si mund të fle mirë?
  • Si mund të përballoj trishtimin, mërzitjen, pashpresshmërinë?
  • Si do të përballem me ndryshimet e pamjes time?
  • Si do të jenë marrëdhëniet e mia?
  • Si mund të rifilloj jetën?
  • Si ndihmon këshillimi psikologjik?


Impakti psikologjik

Ka një sërë ndryshimesh që lidhen me mirëqenien emocionale. Ndjenja të përhershme të ankthit, depresionit dhe humbjes janë shoqëruese, qoftë për humbjet fizike të pjesëve të trupit, por dhe humbjen psikologjike, qe lidhet me humbjen e sensit të vetes dhe problemeve të identitieti. Shumë njerëz humbasin besim tek vetja dhe trupi i tyre. Diagnoza e kancerit mund të shërbejnë si rikujtese për frikën e përsëritjes, si dhe implikon shendetin psikologjik dhe fizik.

Ndryshimet sociale

Ndryshimet në rolet sociale, mënyra e perceptimit dhe reagimit nga të tjerët, shpesh shoqërohet me probleme në shëndetin mendor tek vajzat dhe gratë e diagnostikuara me kancer në gji. Tek to paraqiten sfida të mëdha në krijimin e marrëdhënieve sociale dhe intime. Pacientët me kancer në gji kanë nevojë që të rikonceptojnë marrëdhënien me trupin dhe veten e tyre. Izolimi social dhe reduktimi i ndjeshëm i marrëdhënieve për shkak të humbjes së vetëbesimit apo ndjenjave të trupit përbën një sfidë dhe alarm për mbështetje psikologjike.

Imazhi i trupit

Ndryshimet për shkak të diagnozës mund të jenë të shpejta ose për një përiudhë të gjatë kohore. Ato mund të ndikojnë në mënyrën sesi gratë dhe vajzat mendojnë ose ndjejnë për trupin.. Disa persona mund të ndjehen që "nuk e njohin veten" ose "humbasin veten".

Ndryshime të shumta lidhen edhe me seksualitetin dhe marrëdhëniet intime. Pakënaqësia ndaj trupit ka një ndikim shumë të fortë negativ tek mirëqenia dhe shëndeti. Për këtë arsye është i nevojshëm informimi dhe mbështetja strategjike për përballimin e këtyre ndryshimeve. Nevoja per trajtim psikologjik është e rëndësishme duke marrë parasysh se shumë simbole dhe role tradicionale të feminitetit sfidohen nga trajtimi (rënia e flokëve, heqja e gjoksit, problemet me shtatëzaninë, ndryshimet e tjera trupore).

Aspekti psikologjik i përballjes me kancerin e gjirit

Diagnoza e kancerit shkakton një ortek emocional tek pacientët dhe të afërmit e tyre: Frikë nga dhimbja, nga vdekja, zemërim, stres, pafuqi, depresion, vetëfajësim, krizë vetimazhi nga ndryshimet trupore për shkak të trajtimeve. Kësaj situate i shtohet edhe stigma shoqërore, e një personi të “dënuar nga fati”, ndryshimet në funksionimin familjar e shoqëror, presioni financiar në rritje, etj.

Këshillimi psikologjik, shpresë gjatë përballjes me kancerin e gjirit

Shpesh, vetëm dëgjimi i fjalës kancer, mund të shkaktojë stres të madh në jetën e një personi. Në momentin që dikush diagnostikohet me kancer në gji, atëherë nis edhe një rrugëtim të gjatë të mbushur me plot emocione, pasiguri, frikë dhe shpresë së bashku, të cilat ndikojnë në cilësinë e jetës. Ёshtë e rëndësishme që përveç trajtimit fizik, të kërkohet ndihmë psikologjike për përballimin e situatës, si rrjedhojë e sëmundjes.