Kanceri i gjirit është një sëmundje që zhvillohet kur qelizat në indet e gjirit fillojnë të shumohen në mënyrë të pakontrolluar, duke formuar një masë të quajtur tumor. Qelizat kancerogjene të gjirit mund të qëndrojnë të lokalizuara për një kohë (duke u konsideruar si kancer jo-invaziv), por me kalimin e kohës, ato mund të pushtojnë indet përreth (kancer invaziv) dhe të përhapen në pjesë të tjera të trupit nëpërmjet gjakut ose sistemit limfatik – një proces që quhet metastazë.
Simptomat e kancerit tё gjirit janё më shumë sesa vetëm një gungë!
Njohja e 12 simptomave të kancerit të gjirit mund t’ju ndihmojë të kuptoni ndryshimet e vazhdueshme në gji që nuk lidhen me ciklin tuaj menstrual.
Simptoma 1: Kokërr e fortё
Shenja më e zakonshme e kancerit të gjirit është një kokërr, thellë në indin e gjirit. Zakonisht ndihet e fortë, si një bërthamë limoni, dhe nuk lëviz. Mund të jetë e çdo forme apo madhësie. Shumica e tyre rezultojnë të jenë të padëmshme, si për shembull një cist i mbushur me lëng ose një fibroadenomë. Por nëse vini re një kokërr të fortë (ose ndonjë ndryshim tjetër) që nuk ndryshon me ciklin tuaj menstrual, mos e injoroni. Sa më herët të zbulohet kanceri i gjirit, aq më i lehtë është trajtimi i tij.
Simptoma 2: Zonë e trashur (ose e dendur)
Mund të vini re që një pjesë e gjirit tuaj ndihet ndryshe nga pjesa tjetër – më pak “e butë” dhe më shumë “e dendur”. Kjo mund të jetë normale gjatё ciklit menstrual ose ushqyerjes me gji. Megjithatë, trashja e njё zone të gjirit që nuk largohet ose përkeqësohet me kohën mund të jetë gjithashtu një shenjë e kancerit të gjirit.
Simptoma 3: Gropëzim në lëkurën e gjirit (dimple)
Një gropëzim në gjoks mund të ndodhë kur rrobat e ngushta lënë përkohësisht një shenjë në lëkurë. Por nëse gropëzimi në gjoks nuk largohet, kjo mund të jetë një shenjë e kancerit të gjirit. Kjo simptomë shkaktohet kur një tumor i vendosur thellë në gjoks tërheq lëkurën nga brenda, duke krijuar një gropëzim. Ndonjëherë kjo mund të ndihet me dorë, por ndonjëherë jo.
Një mënyrë e mirë për ta vënë re këtë simptomë është të ngrini krahët lart mbi kokë dhe të shihni nëse lëkura e gjithë gjirit lëviz njësoj me ju gjatë ngritjes dhe uljes së krahëve.
Simptoma 4: Kore në thithë
Koret në thithë mund të jenë një problematikё e padëmshme e lëkurës, si ekzemë, ose një problem i zakonshëm gjatë ushqyerjes me gji. Por nëse trajtimet për lëkurën nuk e zgjidhin problemin, kjo mund të jetë një shenjë e kancerit të gjirit. Kjo ndodh kur qelizat kancerogjene përhapen brenda gjirit dhe qëndrojnë në zonën e thithës, duke krijuar një sipërfaqe të kuqe ose të bardhë me kore (të ngjashme me një plagë), që mund të jetë e dhimbshme dhe nuk largohet vetvetiu.
Simptoma 5: Skuqje e gjirit
Zakonisht, kjo mund të jetë pasojë e një infeksioni të lëkurës, gjidhënies ose ekzemës. Por nëse me kalimin e kohës, antibiotikët ose trajtime të tjera nuk e përmirësojnë simptomën, mund të jetë një shenjë e kancerit inflamator të gjirit. Gjiri mund të jetë i nxehtë ose me ndjesi djegieje. Lëkura e gjirit mund të duket rozë, e kuqe ose si e mavijosur.
Simptoma 6: Lëng i ndryshëm nga thitha
Rrjedhja e lëngut nga thitha është një dukuri e zakonshme dhe në shumicën e rasteve është e padëmshme. Zakonisht lidhet me zhvillimin e gjinjve, infeksionet, cistet, shtatzëninë ose gjidhënien.
Megjithatë, nëse një lëng i ndryshëm rrjedh nga gjiri jashtë këtyre kushteve, kjo është diçka që duhet të kontrollohet nga mjeku, veçanërisht nëse lëngu është i pastër (transparent) ose përmban gjak.
Simptoma 7: Plagë në lëkurën e gjirit
Kanceri i gjirit mund të përparojë deri në atë pikë sa të thyejë lëkurën e gjirit dhe të krijojë një plagë të hapur. Infeksioni mund të shkaktojë erë të keqe dhe/ose rrjedhje nga plaga. Kjo zakonisht shoqërohet me një gungë të fortë dhe të dukshme. Kjo është një shenjë e avancuar e sëmundjes, që do të thotë se kanceri ka qenë i pranishëm për një kohë të gjatë.
Simptoma 8: Gungë
Ndonjëherë një gungë kanceroze mund të shfaqet në sipërfaqen e gjirit. Megjithatë, jo të gjitha gungat janë kancer gjiri. Shumë prej tyre janë ciste ose gunga të padëmshme, beninje, të përbëra nga inde të ndryshme (fibroadenoma). Megjithatë, nëse diçka ju shqetëson, duhet të konsultoheni me mjekun.
Kjo nuk duhet të ngatërrohet me një dëmtim në gji. Një goditje direkte në gji nuk shkakton kancer.
Simptoma 9: Enë gjaku të zmadhuara
Zmadhimi i enëve të gjakut është një nga simptomat më të rralla të kancerit të gjirit. Enët e gjakut ose venat që shfaqen rishtas zakonisht nuk janë shenjë kanceri. Më shpesh ato lidhen me shtimin në peshë ose gjidhënien. Megjithatë, nëse venat bëhen më të dukshme jashtë këtyre ndryshimeve, në gjirin tuaj ose pranë klavikulës, kjo mund të jetë shenjë që një tumor kanceroz i gjirit po tërheq më shumë gjak dhe vena po fryhet për të lejuar rrjedhjen shtesë të gjakut.
Simptoma 10: Thithë e futur brenda (e tërhequr)
Thithat e tërhequra mund të jenë normale nëse shfaqen që nga momenti kur gjiri është zhvilluar për herë të parë. Megjithatë, nëse vini re që thitha po futet brenda ose po sheshohet, kjo mund të jetë shenjë e një tumori që po formohet nën të, duke e tërhequr atë drejt vetes gjatë rritjes.
Simptoma 11: Formë ose madhësi e re e gjirit
Është e zakonshme që një gji të jetë i ndryshëm në madhësi dhe formë nga tjetri. Ky lloj ndryshimi është pjesë e asaj që e bën trupin tonë unik. Por, nëse një gji ndryshon madhësinë, sheshohet, ënjtet ose varet papritur — dhe kjo nuk ka lidhje me ciklin tuaj menstrual — kjo mund të jetë një shenjë e kancerit të gjirit.
Simptoma 12: Lëkura e gjirit si lëkurë portokalli
Kur lëkura e gjirit duket si lëkura e portokallit me gropëza të vogla, kjo është një simptomë e kancerit të gjirit e njohur si “peau d’orange”. Me këtë simptomë, gjiri ënjtet në masë të tillë që folikulat e qimeve në lëkurë duken si shumë gropëza të vogla. Lëkura mund të ndryshojë ngjyrë ose të mbetet e njëjtë.
Faktorët kryesorë të rrezikut për kancerin e gjirit
-
Mosha
Sa më e madhe të jetë mosha juaj, aq më i lartë është rreziku për kancer të gjirit. Sa më gjatë të jeni ekspozuar ndaj estrogjenit, aq më i lartë është rreziku.
-
Cikli menstrual (Menstruacionet)
Menstruacionet rrisin nivelin e estrogjenit në trup. Sa më shumë cikle menstruale të keni pasur, aq më shumë ekspozim keni patur ndaj estrogjenit. Rreziku për kancer të gjirit është më i ulët tek gratë që kanë lindur fëmijë para moshës 30–35 vjeç.
-
Pilulat: Terapia hormonale dhe kontraceptivët
Jo të gjithë pilulat hormonale ose kontraceptive rrisin rrezikun për kancer të gjirit, por disa mund ta bëjnë këtë. Flisni me mjekun tuaj nëse medikamentet që po merrni kanë ndonjë lidhje me rrezikun për zhvillimin e kancerit të gjirit.
-
Alkooli dhe duhani
Konsumimi në nivele të moderuara deri në të larta të alkoolit, si dhe pirja e duhanit, mund të rrisin rrezikun për kancer të gjirit.
-
Mbipesha pas menopauzës
Rreziku për kancer të gjirit rritet nëse jeni mbipeshë, veçanërisht pas menopauzës. Ruajtja e një peshe të shëndetshme mund të ulë rrezikun tuaj.
-
Jeta sedentare
Mos ushtrimi i rregullt ose qëndrimi ulur për periudha të gjata mund të kontribuojë gjithashtu në rrezikun tuaj për kancer të gjirit.
-
Gjinjtë me gunga
Disa gjinj janë me gunga, dhe kjo është normale. Kjo mund të shkaktojë dhimbje dhe ndjeshmëri më të lartë — por nuk rrit rrezikun tuaj për kancer të gjirit dhe nuk ndikon në rezultatet e kontrolleve. Megjithatë, “hiperplazia atipike” është një grumbullim qelizash jonormale në gji, që kanë një shtresë më të trashë. Me kalimin e kohës, nëse qelizat e hiperplazisë atipike vazhdojnë të shumohen, ato mund të shndërrohen në kancer të gjirit. Prandaj rekomandohet një kontroll shtesë për këtë lloj gjiri.
-
Gjinjtë me dendësi të lartë
Gjinjtë me dendësi të lartë mund të bëjnë që mamografia të ketë vështirësi në zbulimin e kancerit. Si mund ta kuptoni nëse keni gjinj me dendësi të lartë? Nuk mund ta kuptoni këtë vetëm duke e prekur. Raporti i mamografisë do t’jua tregojë rezultatin.
-
Mutacioni gjenetik
Rreth 5% deri në 10% të rasteve të kancerit të gjirit mendohet të jenë të trashëguara, që do të thotë se shkaktohen drejtpërdrejt nga ndryshimet (mutacionet) në gjenet që kalohen nga prindi tek fëmija. Historiku familjar, veçanërisht nëse është një i afërm i shkallës së parë (si nënë apo motër), rrit rrezikun tuaj sepse mund të ndani të njëjtin mutacion gjenetik.
Megjithatë, rreth 85% e njerëzve me kancer të gjirit nuk kanë histori familjare të kësaj sëmundjeje.
Diagnostikimi i kancerit të gjirit
•
Mamografia – një rreze X e gjirit që mund të zbulojë tumoret para se të jenë të prekshme me dorë.
•
Ekografia – përdoret për të dalluar nëse një masë është e ngurtë apo përmban lëngje.
•
Biopsia – marrja e një mostre të indit për analizë mikroskopike.
•
MRI (rezonanca magnetike) – ndihmon në vlerësimin e shtrirjes së sëmundjes.
Në Shqipëri kanceri i gjirit ka tendencë në rritje. Ai prek afro 700 gra dhe vajza në vit, prej të cilave një e treta humb jetën. Kjo betejë për jetën bëhet edhe më e vështirë për të prekurat me mundësi ekonomike të pakta, pasi kostoja e kurimit është mjaft e lartë dhe atyre u është dashur të përballen me mangësi të shumta në spitalet shtetërore që nga barnat dhe deri tek aparaturat.
Kanceri i gjirit ka ardhur në rritje në Shqipëri që nbga fundi i viteve 80. Aktualisht risku është 45 raste të reja për 100 mijë gra në Shqipëri, çka me shifra të tjera do të ishte 600 -650 raste të reja në vit.
Kanceri është shkak për vdekjen 16.5% të shqiptarëve dhe në totalin e kancereve ai i gjurit zë 13-14%, ose e thënë ndryshe një në 7 vdekje vjen nga ky kancer. Rreth 80% të grave që preken nga kanceri i gjirit janë mbi 45 vjeç. Ndërkaq harta e shërbimit të kiomoterapisë është shtrirë edhe në spitalet rajonale përveç Tiranës, në Vlorë, Shkodër, Elbasan, Durrës, Korçë dhe Fier. Por synimi kryesor mbetet parandalimi, përmes kontrolleve periodike mbi moshën 40 vjeç.
- Është kanceri më i përhapur tek gratë dhe shkak kryesor për vdekjen e tyre.
- 75% e grave shqiptare paraqiten te mjeku kur kjo sëmundje është në një fazë të përparuar.
- Numri i grave të diagnostikuara ka ardhur duke u rritur nga viti në vit
- Është një sëmundje shumë e kushtueshme.